Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit shpreh ngushëllime të thella për qytetarët e vrarë tragjikisht nga zjarri në “diskotekën” në Koçan dhe shpreh urimet e sinqerta për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve.
Zjarri në Koçan është vetëm i fundit nga një seri ngjarjesh që tregojnë se korrupsioni vret. Për fat të keq, pas rastit në Llaskarc, rastit të “Besa Trans”, zjarri në spitalin modular në Tetovë, duhej të ndodhte edhe zjarri në “diskotekën” në Koçan në mënyrë që të kujtohej përsëri se korrupsioni sistematik prej dekadash merr jetë.
Platforma ndjek nga afër procedurat në rastin e zjarrit në Koçan dhe sugjeron se më e pakta që duhet të sigurohet tani është një hetim gjithëpërfshirës, i plotë, i paanshëm dhe mbipartiak. Kërkojmë që hetimi të kryhet në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente dhe për të, të raportojnë ata që janë ligjërisht kompetentë për ta bërë këtë.
Në këtë pikë, përgjegjësia është thelbësore dhe askush nuk duhet të përjashtohet prej saj, pavarësisht nëse apo cilës parti i përkasin, cilës përkatësi fetare apo etnike, dhe pavarësisht nëse janë ish-funksionarë apo funksionarë aktualë. Derisa të krijojmë një sistem në të cilin njerëzit e duhur me integritet janë në pozicionet e duhura, nuk duhet të heqim dorë.
Në ekzistencën e deritanishme prej një dekade të platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit vazhdimisht reagojmë dhe kërkojmë ndryshime në segmente të ndryshme të sistemit, të cilat nëse do të ishin pranuar, do të kishin parandaluar pikërisht ngjarje të tilla. Nevojiten ndryshime sistematike që do të demonstrojnë se ekziston një vullnet dhe angazhim i vërtetë për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit nga të gjithë palët e interesuara, dhe veçanërisht ato kompetente. Për fat të keq, praktika ka treguar vazhdimisht se dëshira për pasurim personal ka qenë gjithmonë mbi dëshirën për të krijuar një sistem në të cilin rregullat dhe procedurat do të respektohen në mënyrë të barabartë nga të gjithë, në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Duke marrë parasysh shpalljen e ditëve të zisë, Platforma do të përmbahet nga komentet e mëtejshme për rastin konkret për momentin, por njoftojmë se gjatë javës së ardhshme do të organizojmë një konferencë për shtyp në të cilën do të shpallim kërkesat tona specifike që presim të zbatohen nga autoritetet kompetente dhe këtë do ta vëzhgojmë në mënyrë që të fillojë një luftë kolektive pa kompromis kundër korrupsionit.
Mbështetur nga:
Shoqata Estima, Manastir