Reagim ndaj ndryshimeve urgjente legjislative për ndërprerjen e mandateve të komisioneve të pavarura shtetërore

Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftën Kundër Korrupsionit, reagon ashpër ndaj ndryshimeve dhe plotësimeve të votuara, si dhe ndaj propozimeve për ndryshime të reja në ligjet që i japin fund para kohe mandatit të anëtarëve dhe kryetarëve të organeve shtetërore të pavarura, Komisionit Shtetëror për Ankesa për Prokurime Publike (KSHAPP), Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Shkallë të Dytë në Procedurën Administrative.

Përfundimi i mandateve të kryetarëve dhe anëtarëve të këtyre komisioneve para skadimit bëhet me ndryshime legjislative me procedurë të shkurtuar, të propozuara nga një grup deputetësh, pa u plotësuar kushtet për shkarkim dhe pa konsultime publike.

Duke qenë se fokusi i këtyre ndryshimeve legjislative është pikërisht në përbërjen dhe zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të pavarura, duket se qëllimi i ndryshimeve është zgjedhja e përbërjeve të reja të këtyre komisioneve sipas dëshirës së qeverisë së re. Kjo ndërhyrje në punën e institucioneve, të cilat sipas modelit të tyre duhet të jenë të pavarura nga pushteti qendror, përbën një precedent të rrezikshëm dhe çon drejt partizimit plotësues të institucioneve.

Përveç kësaj, në ndryshimet e propozuara në Ligjin për prokurime publike, propozohet që, përveç Kryetarit edhe të gjithë anëtarët e Komisionit, të kenë arsim të lartë në fushën e së drejtës dhe provim të kaluar të jurisprudencës, që si rrjedhojë, duke pasur parasysh gamën e gjerë të fushave që mbulojnë prokurimet publike, paraqet një kriter kufizues që është përcaktuar pa asnjë argument të vlefshëm. Rrjedhimisht, kërkesa që të gjithë anëtarët e KSHAPP-së të jenë në fushën e së drejtës me provim të jurisprudencës, është përcaktuar në bazë të qëndrimit subjektiv të propozuesve, i cili nuk bazohet në udhëzimet e përfshira në direktivat për prokurime publike të Bashkimit Evropian, as në përvojën e vendeve të tjera evropiane. Ndryshimet propozojnë gjithashtu lehtësimin e kushteve për anëtarët dhe kryetarin e Komisionit për Ankesa, në mënyrë që në vend që të kenë “përvojë pune” në fushën e prokurimeve publike, të jetë e mjaftueshme të kenë “njohuri në fushën e prokurimeve publike ose koncesioneve dhe partneritetit publik privat”.

Raporti i projektit të Bashkimit Evropian i cituar nga deputetët në arsyetimin e tyre për ndryshimet në Ligjin për prokurime publike përmban kritika të tjera, madje edhe më serioze për situatën në sistemin e prokurimeve publike, por deputetët që propozojnë ndryshimet veçojnë në mënyrë selektive vetëm kritikat e Komisionit për ankesa, duke krijuar kështu një pamje të shtrembëruar se korrupsioni i përhapur gjerësisht dhe dobësitë në prokurimet publike janë rezultat vetëm i dobësive të këtij institucioni.

Platforma sugjeron se rezultatet e punës së këtyre komisioneve mund dhe duhet t’i nënshtrohen diskutimit publik dhe të çojnë në kërkimin e zgjidhjeve për të promovuar punën e tyre, por jo të formojnë bazën për ndërhyrje të shpejta, partiake dhe të ashpra për forcimin e koncentrimit politik të pushtetit dhe ndikimit.

Prandaj, Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit kërkon nga deputetët të mos votojnë ndryshimet e propozuara të Ligjit për prokurime publike dhe të hapin një debat të gjerë publik në të cilën zgjidhjet do të kërkohen tërësisht dhe në mënyrë jopartiake për të përmirësuar punën e këtyre dhe institucioneve të tjera të pavarura.

Me respekt,

Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit