Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit (Platforma) kërkon krijimin e organit profesional për anti-korrupsion, i cili në mënyrë efektive, të pavarur dhe me integritet të lartë do t’i inicojë dhe do t’i zbatojë kompetencat ligjore dhe politikat për parandalimin e korrupsionit në Republikën e Maqedonisë. Platforma kërkon të ndryshohet modeli aktual për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, i cili do të bazohet në kompetencë dhe integritet, pa ndikime partiake, nëpërmjet marrjes publike në pyetje të kandidatëve në Kuvendin e RM-së. Kërkojmë që përfaqësues të shoqërisë qytetare të marrin pjesë në mënyrë aktive gjatë marrjes në pyetje të kandidatëve dhe të ndikojnë në vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të KSHPK-së. Poashtu, kërkojmë që me prioritet të iniciohet procedurë për rishqyrtimin e modelit të institucionit për luftë kundër korrupsionit, dhe për formimin e institucionit që do t’i plotësojë standardet ndërkombëtare për pavarësi, efikasitet dhe punë joselektive.
Potencojmë se për Platformën është e papranueshme që anëtarët e KSHPK-së të jenë temë e negociatave ndërpartiake, me çka do të vazhdonte praktika e deritanishme e lojalitetit ndaj politikës në pushtet, në vend të kontrollit të saj aktiv dhe respektimit të ligjeve.
Gjatë tre viteve të kaluara Platforma në vazhdimësi e potencon luftën joefikase kundër korrupsionit, ngecjen e vendit në raport me të gjitha indekset e korrupsionit, sundimit të të drejtës dhe efikasitetit të institucioneve për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin. Përgjegjësi të madhe kanë qëndrimet e fundit të anëtarëve të KSHPK-së në lidhje me joaktivitetin, jotransparencën dhe selektivitetin e konstatuar gjatë ushtrimit të funksionit të tyre, që është rezultat i jokompetencës së tyre dhe i mungesës së integritetit personal dhe profesional. Qytetarët nuk kanë besim në KSHPK-në, dhe për këtë arsye duhet të krijohet një sistem efikas për kontroll qytetar mbi punën e këtij organi.
Gjatë dhjetë viteve të kaluara, KSHPK-ja në vend që të merret me korrupsionin në nivel të lartë, në radhët e bartësve të funksioneve politike, aktivitetet e saj i orientonte drejt rasteve të korrupsionit “të ulët” në administratë. Në vend që t’i hetojë qendrat e fuqisë të cilat e robëruan vendin, KSHPK-ja në fund të vitit 2016, e nxitur nga lideri i partisë politike në pushtet, kërkoi nga Prokuroria Publike, Drejtoria për të hyra publike (DHP), dhe Drejtoria për zbulim financiar të bëjnë kontrolle të detajuara afatgjate të punës materiale-financiare të 21 shoqatave dhe fondacioneve. Ky aktivitet, i prezantuar si kontroll i gjoja punës së paligjshme, në fakt paraqiste presion mbi ata që e ushtrojnë rolin e tyre të korrigjuesit të pushtetit.
Konstatimet për shpenzimin e pabazë të mjeteve buxhetore në KSHPK, të zbuluara gjatë revizionit nga ana e DHP-së, nxorën në sipërfaqe vetëm një pjesë të gjendjeve negative, të cilat një kohë të gjatë janë të pranishme në këtë organ. Prandaj, konsiderojmë se dorëheqjet e parashtruara nuk guxojnë të jenë “të mjaftueshme” dhe kërkojmë hetim dhe konstatim të ekzistimit të bazave për përgjegjësi për punë të paligjshme, korrupsion, tregti me ndikimin dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Platforma e dërgon këtë kërkesë deri te Kuvendi, si organ kompetent për zgjedhjen e anëtarëve të KSHPK-së, deri te qeveria dhe deri te partitë politike, me qëllim që të gjitha palët e interesuara të mendojnë në mënyrë adekuate dhe në këto momente kyçe të përcaktimit të drejtimit dhe të vendosmërisë për zhvillimin e demokracisë në vend, të propozojnë zgjidhje, e cila do të ofrojë përballje të pakompromis me korrupsionin si formë e përhapur e krimit dhe faktor për ngecjen në proceset eurointegruese dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Shkup, 12 mars 2018.